Kryeministrja Theresa May ka dëbuar 23 diplomatë rusë nga Mbretëria e Bashkuar në hakmarrje për sulmin me agjent nervor ndaj spiunit rus.
Dhe siç shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, ata kanë vetëm një javë kohë për tu larguar.
Këtë veprim të saj, mediat britanike po e vlerësojnë si një zhytje në një betejë, më të rëndën me Rusinë që nga Lufta e Ftohtë.
Në deklaratën e saj ajo gjithashtu tha se Britania e Madhe po pezullonte kontaktet e nivelit të lartë me Rusinë.
Theresa May u ka thënë deputetëve britanikë se Rusia iu përgjigj kërkesës së saj për një shpjegim të ngjarjeve në Salisbury me “sarkazëm dhe përbuzje”.
“Përgjigjja e tyre ka treguar një përbuzje të plotë për seriozitetin e këtyre ngjarjeve”, tha ajo.
Ndër tjerash ajo ka thënë se Britania do të ‘përdorë plotësisht’ fuqitë ekzistuese për të monitoruar dhe ndjekur ata që vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar që mund të angazhoheshin në veprimtari që kërcënonin sigurinë e Britanisë.
Kjo do të përfshijë kontrolle në rritje për fluturimet private, doganat dhe trafikun e mallrave, tha ajo.
“Do të ngrijmë asetet shtetërore ruse kudo që të kemi dëshmi se ato mund të përdoren për të kërcënuar jetën ose pronën e shtetasve ose banorëve të Mbretërisë së Bashkuar”, tha citohet kryeministrja May.
“Nuk ka vend për këta njerëz – apo paratë e tyre – në vendin tonë”, ka thënë ajo.
Ish-spiuni Sergei Skripal, 66 vjeç dhe vajza e tij Julia, 33, u gjetën të pavetëdijshëm në një stol në qytetin e Salisbury më 4 mars dhe mbeten në spital në një gjendje kritike. /Telegrafi/