Golden Eagle Ylli ka qenë aktive para fillimit të sezonit të ri. Skuadra nga Suhareka ka vazhduar me disa nga lojtarët kryesorë edicionin e kaluar, si Samir Zekiqi dhe Valon Bunjaku, por janë përforcuar edhe me amerikanin, Cody John, pastaj basketbollistin shqiptar Blendi Avdili, si dhe kanë vazhduar me trajnerin Dragan Radoviq.
“Ne jemi duke u përgatitur për edicionin e ri, që kur të fillon të jemi gati. Sigurisht se pandemia ka ndikuar shumë në aspektin financiar, si në të gjitha sportet në Kosovë”, është shprehur zyrtari i klubit, Egzon Fetiu, për faqen zyrtare të FBK-së.
Duke folur për përgatitjet e edicionit të ri, ai ka thënë se shpreson që tifozët do të kthehen shumë shpejt në palestra.
“Synime nuk kemi as në këtë vit. Sikur në vitet e kaluara pretendojmë të zhvillojmë lojëra të mira, të paktën t’i kënaqim shikuesit në TV, pasi tashmë dihet që nuk lejohen tifozët. Shpresojmë që tifozët të rikthehen sa më shpejt”, shtoi tutje Fetiu.
Ylli edicionin e kaluar kishte zhvilluar lojëra të mira dhe arriti deri në finale të Kupës, ku ishte mundur nga Peja.
Edicioni i ri do të fillojë më 14.10.2020, kur edhe do të organizohen ndeshjet e Superkupës së Kosovës. Ndeshjet e ‘play-outit’ gjithashtu do të shtyhen për një muaj.