Site icon Telegrafi

Përfundon takimi i liderëve për Demarkacionin, nuk ka marrëveshje (Video)

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes liderëve politikë lidhur me Demarkacionin.

Pas këtij takimi, Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën ka thënë para gazetarëve se ndoshta këto bisedime do të vazhdojnë.

“Sot kemi pritur ne si opozitë që të nënshkruhet marrëveshja dhe të ecet më tutje. Procedimi i kësaj çështje në Kuvend pas ditës së sotshme është e pa arsyeshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se e vetmja çështje që është diskutuar ka qenë rishikimi i marrëveshjes dhe se pozita nuk ka qenë e gatshme të bëjë një gjë të tillë.

Në anën tjetër lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se nuk kanë arritur ta nënshkruajnë marrëveshjen për rishqyrtimin e Demarkacionit pasi që koalicioni qeverisës kishte ndryshuar qëndrim, transmeton Telegrafi.

“Mendoj që këto takime do të vazhdojnë nëse Naim Rashtiti dhe grupi i tij kanë qëllim që ti vazhdojnë, por kjo mënyrë e ndryshimit të qëndrimeve brenda natës është një problem i jashtëzakonshëm në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se koalicioni qeverisës e pengoi që kjo marrëveshje të arrihet.

Ai ka shtuar se kanë qenë të pajtuar edhe me draftin që kanë pasur më herët edhe me ndryshimin e vogël që është bërë që fjala shqyrtim është kthyer në rishqyrtim.

Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi ka thënë se opozita kishte kërkesë që të rishqyrtohet procesi dhe se kjo ka qenë pengesë.

Ai ka theksuar se janë në presion të kohës nga ana e Bashkimit Evropian që Demarkacioni të ratifikohet më shpejtë si kusht për liberalizimin e
vizave./Telegrafi/

Exit mobile version