Në mungesë të kuorumit Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës plenare ku u diskutua për komisionin që do të drejtojë themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh iniciues i këtij Tribunali, tha se seanca do të vazhdojë shumë shpejt.
Veseli ftoi deputetët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes, të cilët bojkotuan seancën e sotme, që të kthehen në seancë në mënyrë që bashkërisht të votohet komisioni për drejtimin e themelimit të Tribunalit.
Ai u tregua i gatshëm që të pranojë kushtet e dy subjekteve, pasi për të është e rëndësishme që të bëhet Tribunali, në mënyrë që të dënohen krimet e luftës nga ana e Serbisë.
“Unë për fund kam një thirrje për vëllezërit tanë nga LDK dhe nga VV, është mirë me qenë në sallë kur të votohet. Kjo ka me u votu, është mirë me qenë në sallë edhe ju, të votojmë bashkërisht. Ju kam thirrë dhe do t’iu thërras sa herë që të kërkoni, nëse jeni hidhëru se e kam filluar unë këtë iniciativë, unë jam i gatshëm t’ia bëjmë qysh të doni. Por, ajo që është kryesore është që duhet me e votu”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të mbështet themelimin e këtij Tribunali, pasi kjo e fundit ka investuar dhe po investon në Kosovë.
Sipas tij, Serbia do të përgjigjet për gjenocidin që ka kryer në Kosovë./kp/