Telegrafi

Përfundon pa gola sfida mes Bournemouth dhe Chelsea

Bournemouth dhe Chelsea kanë barazuar me rezultat 0-0 në kuadër të javës së pestë në Ligën Premier. 

Blutë e Londrës treguan dhëmbët e tyre që në start të ndeshjes, ku në minutën e 14-të patën një mundësi të artë shënimi por goditja e fuqishme e Nicolas Jackson u ndal në shtyllën e majtë të portierit Neto.

Nuk vonoi shumë reagimi i vendasve, të cilët vetëm pesë minuta më vonë më saktësisht në minutën e 19-të, patën rastin e parë serioz për të shënuar por goditja e Danga Ouattaras u ndal me sukses nga Robert Sanchez.

Deri në fund të pjesës së parë, mysafirët rrezikuan edhe një herë tjetër përmes Conor Gallagher, por Neto ishte në vendin e duhur dhe e ndali goditjen e mesfushorit anglez.

Me të filluar pjesa e dytë, Chelsea shtoi intensitetin e lojës në kërkim të golit.

Ishte Raheem Sterling ai i cili rrezikoi i pari përmes goditjes së dënimit por që golin ia mohoi transversalja.

Menjëherë në aksionin vijues, të besuarit e Pochettinos më në fund ja arritën të dalin në avantazh por që goli i Levi Colwill u anulua për skak të pozitë jashtë loje.

Trajneri argjentinas u mundua që përmes zëvendësimeve të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, ku në minutën e  63-të futi në fushë blerjen e re, Cole Palmer i cili në minutën e 86-të të ndeshjes pati një tjetër rast serioz për të kaluar ekipin e tij në avantazh por ishte përsëri Neto i cili mrekullisht ndali topin që po shkonte në drejtim të rrjetës.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë rast shënimi për të dyja skuadrat, dhe ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 0-0.

Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi pa fitore në Ligën Premier për Chelsean, teksa ata renditen në pozitën e 14-të në tabelën e klasifikimit me vetëm 5 pikë të grumbulluara./Telegrafi/