Feronikeli i ka dhënë fund ecurisë fantastike të Prishtinës prej 15 ndeshjeve pa humbje.
Skuadra e Klodian Duros ka triumfuar me rezultat të pastër 2-0, duke marrë tri pikë të mëdha në luftën për mbijetesë.
Ishte një ndeshje me shumë raste në pjesën e parë, por për të parë golin e parë në këtë sfidë u desh të pritej minuta e 45.
Sulmuesi Marko Simonovski përfitoi nga një devijim i mbrojtësit Bekteshi dhe realizoi për 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.
Prishtina tentonte të gjente golin e barazimit, por ishin përsëri vendasit që shënuan.
Simonovski fitoi një penallti në minutën e 76-të të ndeshjes të cilën vet e ekzekutoi për të realizuar për 2-0.
Deri në fund, mysafirët tentuan të shënonin, por nuk ia dolën përkundër që Nikli mbeti me 10 futbollistë në fushë pas përjashtimit të Argjend Malajt.
Përkundër humbjes, Prishtina mbetet e treta në tabelë me 50 pikë, tri më pak se lideri Drita që ka një ndeshje më pak.
Ndërkohë Feronikeli mbetet në vendin e gjashtë në tabelë me 31 pikë pas 25 takimeve.
Ndeshjen e ardhshme Prishtina do ta zhvilloj në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ përballë Gjilanit, derisa Feronikeli udhëton drejtë Pejës për tu përballur me Besën. /Telegrafi/