Telegrafi

Përfundojnë deklaratat hyrëse – gjykimi vazhdon të martën me provat e Prokurorisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi do të vazhdojë të martën më 11 prill në orën 09:00, kur ZPS-ja do të prezantojë provat me thirrjen e dëshmitarëve.

“Do të takohemi të martën më 11 prill në orën 09:00 për të filluar me prezantimin e provave nga ana e ZPS-së”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, teksa përmbylli ditën e tretë të gjykimit.

Ndryshe, e fundit që mbajti deklaratat hyrëse ishte mbrojtja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Në ditën e tretë të gjykimit, avokatja Venkatesëari Alagendranë mohoi të gjitha akuzat e Prokurorisë dhe tha se Krasniqi nuk është përfshirë në çështjet opreacionale ushtarake.

Sipas saj, Krasniqi nuk do të duhej të akuzohej fare nga Gjykata Speciale dhe se ZPS ka dështuar në përpjekjen e saj të japë argumente për fajësinë e tij.

Edhe Krasniqi iu drejtua me një fjalim trupit gjykues duke thënë se “asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje e në asnjë burgosje”.

Ai gjithashtu ka deklaruar se është absurde të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur edhe vetë ka qenë pjesë e kësaj partie.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe mbështetësit e LDK-së. /Telegrafi/