Site icon Telegrafi

Përfundoi takimi mes Osmanit dhe Ivanovit, diskutuan për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe Presidentit

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot realizoi takim me zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Siç njoftojnë nga kabineti i Ivanovit, në takim Osmani e ka informuar presidentin për planin e Qeverisë 3-6-9, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në takim janë hapur çështjet akuale politike, bashkëpunimi mes Qeverisë dhe presidentit të shtetit, si dhe marrëdhëniet mes përfaqësuesve politik dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes tyre.

“Megjithëse përcaktimi ynë mbetet parimi i konsensusit etnik gjatë zgjedhjes së presidentit të radhës të Republikës së Maqedonisë, ne shtrijmë dorën e arritjes së unitetit, konsensusit dhe të mbështetjes së reformave të nevojshme për integrimet tona evropiane dhe euro-atlantike. Inkluziviteti është me rëndësi për sigurimin e kohabitacionit më të qëndrueshëm mes Qeverisë dhe Presidentit me çka do të sigurohej funksionimi më i mirë, më efikas dhe më i qëndrueshëm, i sistemit politik”, ka deklaruar Osmani pas takimit.

Ndërsa Ivanovi në takim ka kërkuar vendimet nga reformat e sistemit për siguri dhe mbrojtje të jenë në pajtim me ligjet kushtetuese të Këshillit për siguri në Maqedoni.

Ndërkaq në lidhje me migrimin ilegal, presidenti ka kërkuar të punohet në pajtim me procedurat e vendosura në Ligjin për menaxhim me kriza./Telegrafi/

Exit mobile version