Telegrafi

Përfundoi takimi i liderëve, nuk ka datë për zgjedhje

Para pak çastesh ka mbaruar takimi i liderëve te Presidenti Pendarovski. Në takim nuk u caktua datë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas takimit fjalim mbajtën krerët e partive politike të cilët e konfirmuan vendimin. I pari që mbajti fjalim ishte kreu i Aleancës për Shqiptarët i cili tha se janë dakorduar që datën e zgjedhjeve ta caktojnë me konsensus.

“Diskutuam gjerë e gjate për situatën dhe u morëm vesh që datën e zgjedhjeve ta caktojmë me konsensus. Ishte e nevojshme që sot të kemi informacione paraprake nga institucionet të besueshme që janë kompetente për situatën rreth virusit. Maqedonia nuk mund ti lejojë vetes që të mbajë zgjedhje pa prezencën e OSBE-ODIHR dhe duhet ti drejtohet këtij misioni me ftesën. Nga ana tjetër duhen edhe konsulta me KSHZ-në për afate dhe javën tjetër do të kemi përsëri takim te presidenti”, tha Sela.

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas përfundimit të takimit me liderët, tha se nuk kanë marrë një vendim për datën e zgjedhjeve pasi presin një pasqyrë të detajuar të situatës me ekspertët e shëndetësisë, dhe se javën tjetër kanë përsëri takim me Presidentin dhe ndoshta do të merret edhe një vendim për datën eventuale të zgjedhjeve./Telegrafi/