Të dielën (26 tetor) u organizua edhe gara e fundit përmbyllëse për sezonin 2014 në Automobilizmin e Kosovës, nën patronatin e Fask Eurogoma dhe A.K. Gjakova 137.
Zhurma dhe defilimi i veturave garuese para fillimit të garës, grumbulloi dhe tërhoqi kureshtjen shumë shikuesve të rastit, simpatizuesve dhe dashamirëve të këtij sporti pranë rrugës kryesore përballë “Hotel Pashtrikut”.
Gara përfundoi edhe me një sukses të radhës me çka edhe përfundoi një cikël i suksesshëm i garave në Automobilizmin e Kosovës. Edhe ky sezon, ashtu si ai i vitit te kaluar, duke iu falënderuar sponsorit, ishte një prej sezoneve më të shquara në historinë e garave të Kosovës, si dhe ndër më të mirët në rajon që u organizuan gjatë këtyre dy viteve.
Një organizim i tillë, nuk mbeti pa u vërejtur as nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore (FIA CEZ), ku me ç’rast kryetari i kësaj Federate, Zrinko Gregurek, vizitoi dy herë Kosovën dhe premtoi që edhe Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizate duke filluar nga viti i ardhshëm.
Kjo garë, po ashtu, nxori edhe heronjtë e saj përfundimtarë në kategoritë përkatëse. Garuesi më i shquar dhe njëherit kampion në kategorinë e pestë (mbi 2000cc), ishte Blerand Hasanaj i pasuar nga Shkumbin Lajqi dhe Përparim Dushi, i cili po ashtu është kampion i trefishtë në kategorinë e tretë (deri 1600cc) dhe njëherit pretendent për “Helmetën e Arte”, të cilën deri më tani ka arritur ta fitojë vetëm garuesi i shquar Gazmend Gashi.
Rezultatet e përgjithshme:
Meritë për organizimin e kësaj gare, përpos Fask Eurogoma dhe pjesëtarëve të saj, i takon edhe A.K. Gjakova 137 që ndihmoi në organizimin e saj dhe riaktivizoi garuesit e vjetër në garën e Gjakovës, por që pritet të rikthehen më aktivisht në garat e sezonit 2015. Organizuesit kanë falënderuar qytetarët e Gjakovës për përkrahjen që u dhanë garuesve, si dhe gjithë simpatizuesit që i përcollën garat e këtij sezoni. /Telegrafi/