Ka filluar zyrtarisht finalja e madhe mes Anglisë dhe Italisë në kuadër të Euro 2020.
Në garën e cila po zhvillohet në Stadiumin “Wembley” në Londër, mbrëmja ka nisur me një performancë të mrekullueshme të realizuar nga balerinët vendas.
Fishekzjarre të shumta dhe një kupë gjigante e vendosur në mes të fushës ishin detaji që zbukuruan performancën hapëse, të ndjekur nga miliona shikues në mbarë botë.
E plot 60 mijë ishte numri i atyre që patën rastin ta shijojnë këtë hapje spektakolare nga afër, pasi organizatorët kanë vendosur që vetëm 60 mijë nga 90 mijë të kapacitetit të stadiumit të shfrytëzohen për ndeshjen, kjo për shkak të masave të COVID-19.
Në sfond është dëgjuar edhe kënga zyrtare e Euro 2020, “We Are The People”, e cila interpretohet nga U2 dhe Martin Garrix.
Ky i fundit në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur mbi temën që himni i Kampionatit Evropian sivjet trajton, e që është një frymëzim nga situata pandemike e vitit të kaluar.
“Ne morëm shumë frymëzim nga mënyra se si na bëri të ndihemi futbolli dhe se si i bashkon njerëzit, si i bashkon njerëzit. Ne vërtet, vërtet u përpoqëm ta kapim atë ndjenjë të euforisë, ekzaltimit dhe lumturisë. Gjëja e çmendur në lidhje me këtë këngë është se ne e kemi shkruar para se të ndodhte pandemia COVID-19, por unë ndjehem si tani, ose të paktën shpresoj, se do të jehojë me njerëzit edhe më shumë sepse unë ndjehem sikur, në përgjithësi, bota ka nevojë për diçka shpresëdhënëse , diçka emocionuese, diçka ngritëse përsëri; sidomos pas këtij viti të çmendur, si ai që kaluam vitin e kaluar”, ka thënë Garrix për Telegrafin.
I njëjti kishte bërë hapjen zyrtare të Euro 2020 në fillim të kampionatit, përmes një performance virtuale me U2. /Telegrafi/