Telegrafi

Performanca e Rita Orës me veshje kombëtare shfaqet në “billboard”-et gjigante të New Yorkut

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar së fundmi mini-albumin e saj më të ri, “Bang”.

Ajo gjithashtu solli edhe klipin e këngës më të suksesshme të këtij albumi, “Big” në bashkëpunim me David Guettan dhe Imanbek.

E veçanta e klipit qëndron në faktin se është një mini-film i xhiruar në objektet brutaliste të Bullgarisë, ku Rita Ora shfaqet në një performancë të veçantë me veshje kombëtare shqiptare, të punuar nga Valdrin Sahiti.

Vet Rita është shprehur në një nga intervistat e fundit se e kishte me shumë qejf inkuadrimin e trashëgimisë kulturore në klipin e saj më të ri.

Kënga ka filluar të pëlqehet me të madhe në mbarë botën dhe aktualisht renditet si mini-albumi i pestë më i pëlqyer i momentit në botë.

Platformat e ndryshme muzikore si Spotify, Apple Music dhe iTunes e kanë promovuar këngën e re të Ritës edhe në ‘billboard’-et më të mëdha të qyteteve me renome.

Ka qenë motra e këngëtares shqiptare, Elena Ora, ajo e cila në disa fotografi të publikuara në InstaStory, ka shfaqur momentin kur në “Times Square” të New Yorkut shfaqet performanca e veçantë e Ritës me veshje kombëtare.

Foto: Rita Ora/InstaStory

Ky ka qenë një reklamim i madh jo vetëm për projektin e ri muzikor të artistes nga Kosova, por edhe promovimin e veshjeve tradicionale shqiptare. /Telegrafi/

Foto: Rita Ora/InstaStory