Donald Cerrone është kundërshtari i Conor McGregor në rikthimin e tij në UFC, në përballjen që do të zhvillohet të shtunën mbrëma (në orët e hershme të mëngjesit të të dielës me kohën tonë) në T-Mobile Arena të Las Vegasit.
Tabloidi express.co.uk ka publikuar disa të dhëna lidhur me pasurinë e irlandezit para meçit ndaj rivalit amerikan në kuadër të ‘UFC 246’.
Conor McGregor u bë shumë i pasur që nga dueli i boksit kundër Floyd Mayweather, të cilin e zhvilloi në gusht të vitit 2017 dhe humbi me nokaut teknik.
Për 28 minuta punë, ‘The Notorious’ përfitoi 27 milionë euro vetëm nga marrëveshja për meçin, ndërsa sipas tij, përfitimet totale (duke i përfshirë edhe sponsorët) nga ai duel arrijnë shifrën prej 76 milionë funtesh (89 milionë euro).
Këtë shumë, ai nuk ka mundur ta fitonte në asnjë mënyrë në të gjitha duelet që i ka zhvilluar në UFC, ku ka qenë kampion i dyfishtë.
Përfitimet e përgjithshme të McGregor prej se i është bashkuar UFC-së në prill të vitit 2013 kanë qenë rreth 38 milionë euro, ndërkohë që është thënë se nga dueli me Khabib Nurmagomedov ka fituar afro 45 milionë euro.
Dhe duke i llogaritur edhe investimet, fitimet dhe humbjet, sipas Celebrity Net Worth, pasuria aktuale e Conor McGregor besohet të jetë rreth 110 milionë euro. /Telegrafi/