Përfaqësuesit politikë dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës po kërkojnë të drejtat e barabarta siç parashihen edhe për serbët në planin evropian.
Në dokumentin që ka siguruar Telegrafi, në pikën e parë ata kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.
Ata gjithashtu kanë kërkuar edhe ngritjen substanciale të monitorimit ndërkombëtar të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Tutje në pikën e tretë në dokumentin që ka siguruar Telegrafi ata kërkojnë edhe “përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbë në Kosovë”
“Kërkojmë nga Qeveria e Serbisë zbatimin e të gjitha obligimeve të saj ndaj Luginës së Preshevës dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar”, thuhet në pikën e katërt të deklaratës së përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesit politikë e institucional shqiptarë.
Ata gjithashtu kanë deklaruar se e dënojnë shlyerjen e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që përkohësisht jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike diskriminuese dhe kthimin e të drejtave të mohuara të këtyre familjeve shqiptare.
Deklarata përmbanë gjithsejtë shtatë pika në të cilat kërkohen të drejtat e shqiptarve që të jenë të barabarta sikurse të serbëve sipas planit evropian
Kjo deklaratë është nënshkruar nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të tri komunave të Luginës së Preshevës, deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Nacional shqiptar, Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, kryetar i PDSH-së, Ragmi Mustafa, këshilltari i Komunës së Medvegjës, Femi Beja.
E njëjta nuk është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryetari i LPD-së dhe nënkryetar i Komunës së Bujanocit, Shqipërim Musliu. /Telegrafi/