Site icon Telegrafi

Përfaqësuesit e Luginës pas takimit me Hill: Shqiptarëve po u bëhet diskriminim shtetëror

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Kamberi e ka pritur ambasadorin Hill në Bujanoc.

Temat që u diskutuan mes tyre janë zhvillimet politike rajonale, kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.

“Kënaqësi të mirëpres në Bujanoc ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SH.T. Christopher Hill. Zhvillimet rajonale politike, kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tonë, ishin temat për të cilat bashkërisht biseduam”, ka njoftuar Kamberi.

Derisa me ambasadorin Hill në Bujanoc është takuar edhe kryetarin e kësaj komune Nagip Arifi.

Lexo po ashtu Hill: Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën, jo me çështjen e pakicave në Serbi

Arifi thotë se në takim u diskutua edhe për Marrëveshjen e Ohrit.

“Sot pata kënaqësinë që të pres Ambasadorin e SHBA-së në Beograd Sh.T. Christopher Hill, me të cilin biseduam për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend, por edhe për zhvillimet rajonale, me theks të veçantë rreth Marrëveshjes së Ohrit”.

I pari i Bujanocit më tej thotë se ambasadori Hill u njoftua për problemet e shqiptarëve.

“E njoftova ambasadorin Hill rreth diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, duke u nisur nga pasivizimi i adresave, mos integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore, mosnjohja e diplomave nga Republika e Kosovës, deri te mos interesimi i Qeverisë serbe për ta zhvilluar këtë rajon ekonomikisht”.

Sipas Arifit, ambasadori Hill premtoi se këto çështje do t’ia adresojë presidentit Vuçiq dhe kryeministres Bërnabiq. /Telegrafi/

Exit mobile version