Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka janë takuar në Washington me drejtuesit e lartë të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC).
Në takim me kryeshefin operativ Edward Burrier, këshilltarin e kryeshefit ekzekutiv të DFC-së, Caleb McCarry dhe me shefin e stafit, Stewart Ackerly, drejtuesit e dy odave ekonomike biseduan për nevojat e sektorit privat në Kosovë, si dhe sektorët me potencial zhvillimor, të cilët do të mund të përfitonin nga instrumentet mbështetëse të DFC-së.
Zeka dhe Rukiqi theksuan edhe nevojën e angazhimit më të shpejtë të qeverive në Kosovë dhe në Serbi për zbatimin e zotimeve të Marrëveshjes së Washingtonit, si dhe rolin që odat ekonomike nacionale dhe ato amerikane në Kosovë dhe në Serbi mund të luajnë në asistimin e qeverive për zbatimin e pikave të marrëveshjes.
Diskutimi u fokusua edhe në çështjet e lidhura me energjinë dhe nevojën e rritjes së sigurimit të furnizimit në Kosovë si parakusht për zhvillim ekonomik. /Telegrafi/