Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe ai i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka pas takimit me kryeinspektorin e Tregut, Lulzim Syla kanë thënë se inspektorët komunal nuk duhet ta shkelin vendimin e qeverisë mbi ndalesën e veprimtarive të disa aktiviteteve ekonomike.
Për këtë, Rukiqi ka thënë se, Kosova nuk e ka komoditetin që t’i ndaloj të gjitha veprimtaritë, pasi sipas tij, rrezikohet zinxhiri i prodhimit.
“Ne nuk kemi komoditetin që të ndalen të gjitha [bizneset], pasi pastaj pasojat do të jenë të pariparueshme, që të na rrezikohet zinxhiri i prodhimit…Ne po punojmë që edhe kur do të kaloj kjo gjendje pasojat të jenë më të vogla”, tha ai.
Kurse, Zeka ka bërë apel që të mos abuzohet me rritjen e çmiveve në ato raste kur ka furnizim normal.
“Ne kemi marr informatën që gjatë tërë ditës së sotshme janë përballur me ndërhyrje nga ana e autoriteteve inpektuese komunale. Ne besojmë se pavarësisht gjendjes, autoritetet komunale nuk duhet të shkelin vendimet e nivelit qëndror. Ju bëjmë thirrje edhe një herë kompanive të sektorit privat që të mos abuzojnë me çmimet në ato raste kur furnizimi është duke vazhduar normal. Më së paku që na duhet në këto momente është që të krijojmë panik në mesin e qytetarëve”, tha Zeka.
Edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka bërë publik një numër ku mund të drejtohen qytetarët për të njoftuar lidhur me rritjen e çmimeve.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.
“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”, ka thënë ai.
Inspektorati i Tregut që vepron në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka nxjerrë disa udhëzime për zbatimin e vendimeve të qeverisë lidhur me situatën e Coronavirusit.
“Prodhuesit mund mos të ndalojnë prodhimin, por detyrimisht të marrin masa të organizimit në punë, si ndërrime (turne), për të reduktuar numrin e njerëzve që qëndrojnë në prodhim, të sigurohet distanca minimale prej 1 metër, gjatë gjithë kohës”, thuhet në njërën nga pikat e këtij vendimi. /Telegrafi/