Përfaqësues të biznesit gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nis dialogu institucional me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja në vend.
Sipas tyre, hapja e dialogut ndërmjet institucioneve dhe bizneseve do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të investimeve në vend.
“Në këtë bashkëbisedim u veçuan reformat legjislative, si dhe zgjidhjet konkrete për tërheqjen e investimeve. Në takimin e përbashkët u theksua se dialogu i hapur, konstruktiv dhe i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe investitorëve, do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të investimeve në Kosovë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte”, thuhet në njoftim.
Në Këshillin Evropian të Investitorëve (EIC), anëtarë nderi janë Zyra e BE-së në Kosovë, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (Luksemburg) si dhe ndërmarrjet e kompanitë evropiane nga industria bankare, telekomunikacioni, sigurimet, industria automotive, plastike, shoqëritë audituese, industria farmaceutike, të energjisë, tekstilit dhe ajo e transportit. /Telegrafi/