Telegrafi

Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Fidan sot në Kosovë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, sot do ta vizitojnë Kosovën.

Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin.

Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

Në Kosovë sot do të qëndrojnë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, i cili do të takohet me zëvendëskryeministren dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.