Site icon Telegrafi

Përfaqësues të opozitës vazhdojnë me takime në Strasburg, Bardhi: Emergjente reformat kritike për anëtarësimin në BE

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vazhduar edhe sot takimet zyrtare në Parlamentin Evropian. Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët e grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Evropian” (ECR).

Në një njoftim në rrjetet sociale, Bardhi solli në vëmendje disa nga pikat kryesore të takimit me eurodeputetët, duke theksuar nevojën që ka Shqipëria për më shumë reforma, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Gjatë vizitës në Parlamentin Evropian patëm mundësinë për një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Evropian” (ECR). Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për t’i informuar mbi të gjitha shqetësimet tona për gjendjen e demokracisë në vend, duke theksuar sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE”, u shpreh ai.

Sipas Bardhit, Shqipëria, si vend kandidat për në BE, e ka jetike të respektojë parimet themelore në qeverisje. “Cenimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes keqpërdorimit të burimeve shtetërore nga partia në pushtet, përdorimi i parave të korrupsionit, bashkëpunimi me krimin e organizuar deri në pikën e caktimit prej tij të kandidatëve për deputetë, tentativa për asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të lidershipit, mosrespekimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga rruga evropiane”, theksoi Bardhi.

Ndërkohë, me deputetët evropianë i gjithë thelbi i diskutimeve u përqendrua sipas Bardhit tek situata politike në vend dhe nevoja për sa më shumë reforma në shumë sektorë jetikë për vendin dhe shoqërinë.

“Me miqtë evropianë bashkëndamë qëndrimin se është emergjente që Shqipëria të përqendrohet në reformat kritike të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përfshirë sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundoi Bardhi. /Telegrafi/

Exit mobile version