Telegrafi

Perez: Haaland te Reali do të qëndronte në bankën rezervë, kemi numrin nëntë më të mirë në botë

Erling Haaland ka kompletuar këtë verë transferimin te kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City.

Sulmuesi norvegjez ishte objektiv i skuadrave më të mëdha evropiane si Real Madrid, Barcelona, Chelsea, Manchester United, Liverpool, Bayern Munich e Paris Saint Germain.

E rreth transferimit të mundshëm të Haaland te Real Madrid është pyetur edhe presidenti i Los Blancos, Florentino Perez.

I pari i kampionëve në fuqi të Evropës ka thënë se nuk e transferuan norvegjezin, pasi ai do të rrinte rezervë e numrit nëntë më të mirë në botë, Karim Benzemas.

“Ne kemi numrin nëntë më të mirë në botë dhe nuk do të kishim nënshkruar kurrë me Haaland për ta mbajtur atë në bankën rezervë”, deklaroi Perez për ‘El Chiringuito’.

21-vjeçari kompletoi transferimin te Manchester City këtë verë me gjigantin anglez që pagoi klauzolën e tij prej 60 milionë eurove.

Haaland ishte kërkuar nga Real Madridi edhe sa ishte pjesë e RB Salzburg dhe Borussia Dortmund, por që transferimi i tij në Santiago Bernabeu nuk ndodhi kurrë. /Telegrafi/