Real Madridi ka festuar titullin e 36-të në histori të klubit në rrugët e kryeqytetit spanjoll Madrid.
Ka qenë një titull mëse i merituar për Los Blancos që kanë dominuar deri më tani në La Liga këtë edicion.
I pari i Real Madridit, presidenti Florentino Perez ka folur për këtë titull të fituar, por në një moment ka goditur edhe Xavin dhe Barcelonën.
Xavi ka akuzuar gjithmonë se po dëmtohen nga gjyqtarët dhe një gjë e tillë nuk po ndodh me Realin, derisa Perez tha se skuadra e tij fitoi falë lojës së ndershme gjë që nga mediat spanjolle po shihet si goditje ndaj Xavit dhe Barcelonës.
“Ky titull na bën të kuptojmë se edhe e pamundura mund të bëhet e mundur. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që tashmë janë pjesë e historisë së klubit. Ata kanë fituar gjithçka dhe janë ende të uritur për të fituar sërish”.
“Falënderoj edhe stafin teknik dhe Carlo Ancelottin, një nga trajnerët e mëdhenj në historinë tonë. Një titull special ky, i fituar falë vlerave të skuadrës. Gjithçka që arritëm erdhi falë sakrificave, punës, përulësisë dhe lojës së ndershme”, deklaroi Perez.
Así fue la foto de familia en el Ayuntamiento.#RealMadrid
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) May 12, 2024
Krejt në fund presidenti i Real Madridit ka thënë se do të japin shpirtin për ta fituar për herë të 15-të trofeun më prestigjioz evropian, Ligën e Kampionëve.
“Ne jemi krenarë që bëjmë të famshëm Madridin në të gjithë botën. Jemi klubi më i dashur në botë. Historia na detyron të vazhdojmë të fitojmë. Do të japim shpirtin për të fituar edhe Ligën e Kampionëve për herë të 15-të”, deklaroi Perez. /Telegrafi/