Telegrafi

Perëndimi sugjeron seancë me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit për Ushtrinë e Kosovës

Rusia dhe vendet perëndimore nuk arritën të gjejnë konsensus lidhur me formatin e seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të caktuar për ditën e hënë që do t’i kushtohet krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Derisa Rusia e Serbia kërkojnë që mbledhja të jetë e hapur për publikun, vendet perëndimore e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Kështu thotë një burim i dhënë agjencisë ruse shtetërore të lajmeve “Tass” nga Misioni i Përhershëm rus në Kombet e Bashkuara.

“Rusia dhe Serbia kërkuan të mbajnë këtë seancë për shkak të situatës së krijuar kur Kosova vendosi t’i kthejë forcat e sigurisë në një ushtri të plotë, e cila bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 që parashikon vetëm praninë e forcave ndërkombëtare në Kosovë. Për këtë qëllim, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të shkojë në Nju Jork”, tha burimi, përcjell Telegrafi.

Diplomati vuri në dukje se konsultimet mbi këtë çështje u mbajtën ditën e premte pas dyerve të mbyllura.

“Grupi i vendeve perëndimore nuk e vinte në pikëpyetje rëndësinë e mbajtjes së këtij takimi, por sugjeroi formatin e dyerve të mbyllura. Asnjë konsensus nuk u arrit për shkak të këtyre pozicioneve të ndryshme. Dikush mund të krijojë përshtypje se partnerët tanë perëndimorë duan të fshehin problemin pas dyerve të mbyllura”, shtoi burimi. /Telegrafi/