Site icon Telegrafi

Perëndimi dënon deklaratën e ministrit izraelit, se vdekja e palestinezëve nga uria në Gaza mund të justifikohet

Bashkimi Evropian ka njoftuar se komentet e ministrit të Financave të Izraelit, se vuajtja e Gazës nga uria mund të jetë “e drejtë dhe morale”, përbën një krim lufte.

Aleatët perëndimorë të Izraelit kanë dënuar komentet e ministrit të Financave të ekstremit të djathtë, i cili sugjeroi se popullsia e Gazës me më shumë se 2 milionë palestinezë “mund të jetë e drejtë dhe morale” derisa pengjet e kapur në sulmin e 7 tetorit të Hamasit në Izraelin jugor, të kthehen në shtëpi.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, tha në një fjalim të hënën se Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të dërgonte ndihma humanitare në Gaza, transmeton Telegrafi.

“Nuk është e mundur në realitetin e sotëm global të menaxhohet një luftë – askush nuk do të na lejojë t’i lëmë dy milionë njerëz tw vdesin nga uria, edhe pse kjo mund të jetë e drejtë dhe morale derisa ata të kthejnë pengjet”, tha ai në një konferencë në mbështetje të vendbanimeve hebraike.

Smotrich, një partner kyç në koalicionin qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, mbështet riokupimin e Gazës, rindërtimin e vendbanimeve hebraike që u hoqën në vitin 2005 dhe atë që ai e përshkruan si migrim vullnetar të një numri të madh palestinezësh jashtë territorit.

Bashkimi Evropian kritikoi të mërkurën komentet e tij, duke vënë në dukje se “vrasja e qëllimshme e civilëve nga uria është një krim lufte”.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i quajti komentet “përtej poshtëruese”, duke thënë se “ajo tregon, edhe një herë, përbuzjen e tij për ligjin ndërkombëtar dhe për parimet themelore të njerëzimit”.

David Lammy, Sekretari i ri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, tha se “nuk mund të ketë asnjë justifikim për komentet e ministrit Smotrich”.

“Ne presim që qeveria më e gjerë izraelite t’i tërheqë dhe t’i dënojë ata”, shkroi ai në platformën e mediave sociale X.

Ambasadori i Gjermanisë në Izrael, Steffen Siebert, i quajti komentet “të papranueshme dhe të tmerrshme”.

“Është një parim i së drejtës ndërkombëtare dhe i njerëzimit të mbrosh civilët në një luftë dhe t’u japësh atyre qasje në ujë dhe ushqim”, shkroi ai në X. /Telegrafi/

 

Exit mobile version