Telegrafi

Përdornin qendrën e masazheve për prostitucion në Tiranë, arrestohen dy të rejat dhe shpallet në kërkim administratori

Foto: Ilustrim

Policia e Tiranës ka bërë të ditur sot se ka goditur një rast të shfrytëzimit të qendrave të masazheve për ushtrim të prostitucionit.

Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë dy shtetase, si dhe është shpallur në kërkim administratori i kësaj qendre masazhesh.

Policia ka sekuestruar gjithashtu një shumë parash prej 60,500 lekësh, e dyshuar se është përfituar nga veprimtari e kundërligjshme.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, si rezultat i hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Extra”, arrestuan në flagrancë shtetaset: K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; D. L., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni””, thuhet në njoftimin e policisë.

“Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi K. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një qendre masazhesh. Vijon puna për kapjen e tij”, shton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në qendrën e masazheve, në Unazë të Re, që menaxhohej nga 23-vjeçari, u konstatua se shtetasja K. H. (motra e shtetasit K. H.), shfrytëzonte për prostitucion, një punonjëse në këtë qendër. /Telegrafi/