Telegrafi

Përdornin biznesin call center për mashtrime, arrestohen dy persona në Shkodër

Administratori dhe menaxherja e një biznesi call center në Shkodër janë vënë në pranga, pasi akuzohen për mashtrim kompjuterik.

Në gjendje të lirë janë proceduar shtatë personat që ishin të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Policia në këtë rast ka parandaluar edhe 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara në këtë call center dhe janë proceduar penalisht dy shtetas të tjerë.

Në kërkim janë shpallur tre bashkëpunëtorët e të arrestuarve, të cilët punonin në atë biznes.

Gjatë hetimeve të kryera u konstatua se administratori dhe menaxherja në bashkëpunim me 3 personat e shpallur në kërkim, kishin punësuar disa operatorë, të cilët telefononin shtetas të ndryshëm dhe i mashtronin ata që të kryenin investime në bursa fiktive.

Në operacionin policor të koduar “North Forex 4”, gjatë kontrollit në call center, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të Shkodrës, u sekuestruan 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme. /Telegrafi/