Site icon Telegrafi

Përdori qendrën e tatuazheve për trafikun e drogës, arrestohet i riu në Tiranë

Foto: Ilustrim

Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas në kërkim, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Bëhet me dije se në pranga ka përfunduar shtetasi Armando Behari, 29-vjeç, i cili akuzohet se në vitin 2022 ka përshtatur një qendër tatuazhesh për përdorimin dhe shitjen e lëndës narkotike kokainë.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Center”.

Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Ali Demi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi në kërkim Armando Behari, 29 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për vepra penale në fushën e narkotikëve. Në vitin 2022, 29-vjeçari ka përshtatur një qendër tatuazhesh në zonën e Komunës së Parisit, për përdorimin dhe shitjen e lëndës narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version