Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale kanë arrestuar një 55-vjeçar nga Përmeti, i cili përmes mashtrimit kompjuterik ka vjedhur shuma të mëdha parash.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fraud” u vu në pranga shtetasi Artur Karati, 55 vjeç, banues në Përmet dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Shtetasi Artur Karati, me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë, ka përfituar shuma parash nga shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit.
Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram”, bëri me dije policia.
Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast. /Telegrafi/