Nga zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni (2013) mund të mbani mend retorikën nacionaliste të OBRM-PDUKM-së në lidhje me komunat të cilat ishin të rrezikuar që t’i fitonin kryetarë shqiptarë.
Mbahet mend prej atëherë fjalimi kërcënues i Nikolla Gruevskit nga Kërçova kundrejt kandidatit të BDI-së, Fatmir Dehari.
Kjo retorikë atëherë u cilësua si kërcënuese nga faktori ndërkombëtar dhe si e tillë rrezikonte marrëdhëniet ndëretnike në vend. Për ‘tango’ duhen dy valltarë, e këtë detyrë atëherë BDI e bënte si më mirë, duke qenë edhe partner qeveritar i atëhershëm i OBRM-PDUKM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
OBRM-PDUKM-ja atëherë e humbi Kërçovën dhe Strugën por fitoi shumë më shumë komuna se sa mendohej, pikërisht nga fjalori i tyre i zjarrtë me përmbajtje nacionaliste.
Shembujt e fundit të ”betejës” së OBRM-PDUKM-së opozitare janë në temën emigrantëve. Nuk ka informacione të sakta nga autoritetet dhe për këtë ka keqpërdorime nga OBRM-PDUKM-ja që nëpërmjet propagandës dhe lajmeve të rrejshme, mundohet të krijojë një realitet ndryshe, të paqenë në të vërtetë.
Në disa postime nëpër rrjete sociale, aktivistë dhe mbështetës të kësaj partie veçse e kane filluar shfaqjen e ksenofobisë për temën ”shpërngulja e emigrantëve në Maqedoni”.
Në një fotografi ku shihen fëmijë të veshur si në vendet arabe, shtohet mbishkrimi ”Një ditë shkolle në Shtip, pas ardhjes së emigrantëve.”
Fotografija e dytë është edhe e sponsorizuar nga një faqe në Facebook me emrin ”Zgjohu-thuaj jo emigrantëve në Maqedoni” ku bëhet thirrje që të dalin dhe të mbrojnë Maqedoninë nga emigrantët që duan të shpërngulen në Maqedoni me vendim të qeverisë që pritet të ndërtojë banesa kolektive. Sipas kësaj faqe, shpërngulja e emigrantëve do të thotë edhe rritje të kriminalitetit dhe dhunës në Maqedoni, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mes tjerash nëpër internet qarkullon edhe një mesazh ku ju bëhet thirrje qytetarëve të Komunës së Aerodromit në Shkup që të dalin dhe të mbledhin nënshkrime në mënyrë masovike për të ndaluar ”ndërtimin e kampeve për refugjatë.”
Përndryshe, gjithë këto bëhen një muaj para zgjedhjeve që duhet të mbahen më 15 tetor. Pritet që kjo retorikë të ashpërsohet në mes partive që të fitojnë më shumë vota, në kurriz të ”mbrojtjes së Maqedonisë” ./Telegrafi/