Kthimi i një numri të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, është në funksion të stabilizimit të institucioneve të vendit, por edhe në të mirë të vet komunitetit serb të cilin e përfaqësojnë këta deputetë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, sipas tyre, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë marrëveshje me kushte me Listën Serbe për kthimin e përfaqësuesve të saj në institucione.
Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se komunikimi me Listën Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, nuk është ndërprerë asnjëherë dhe ka qenë i vazhdueshëm për çështje të ndryshme.
Sipas tij, tashmë ekzistojnë spekulime se kthimi i përfaqësuesve të Listës Serbe në institucione është bërë me kushte, gjë që, siç thotë ai, nuk është e vërtetë.
“Jo, nuk ka kurrfarë marrëveshje. Lista Serbe e ka vlerësuar se është shumë më mirë të jetë pjesë e qeverisë Mustafa, e cila me konstruktivitetin dhe fleksibilitetin e saj, konkretisht edhe të vet kryeministrit Mustafa, ka bërë që Lista serbe ta shohë se duke qenë jashtë qeverisë, jashtë institucioneve, ashtu siç kanë qenë, nuk do të mund të bëjë asgjë të mirë për askënd, e aq më pak për komunitetin serb”.
Kthimi i një numri të deputetëve të Listës serbe në Kuvendin e Kosovës, por edhe shkarkimi i Ljubomir Mariqit nga posti i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe zëvendësimi i tij nga Mirjana Jevtiq, ka nxjerrë në pah përçarjet brenda kësaj liste, e cila përbëhet nga përfaqësuesit e dy partive serbe, Lëvizja Socialiste prej nga vjen Jevtiq, dhe Partia Përparimtare Serbe, prej nga vjen Mariq.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, thekson përçarjet brenda Listës Serbe, janë pasqyrim i gjendjes edhe brenda Qeverisë së Serbisë, në të cilën, sipas tij ekzistojnë përçarjet.
“Këto ditë, ne kemi mundur të dëgjojmë shumë zëshëm dhe qartë nga ana e strukturës në pushtet se do ta shqyrtojë koalicionin me Partinë Socialiste të Serbisë, me zotin Daçiq, i cili është partner i tyre në koalicion. Tash e një kohë të gjatë po flitet për këtë dhe jo vetëm kaq, por edhe paralajmërimi se është e mundur që bashkë me zgjedhjet presidenciale të bëhen edhe zgjedhjet parlamentare”.
“Pikërisht këto, flasin për një përçarje të caktuar dhe diferencat brenda koalicioni në Beograd, por edhe brenda përfaqësuesve të pushtetit, të cilët po përpiqen në të gjitha mënyrat që të futen në fushatë zgjedhore”, tha Nojkiq.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë takuar të hënën me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka theksuar se ata duhet t’i tërheqin vendimet e dëmshme, që nënkupton tërheqjen e Mirjana Jevtiqit nga posti i ministres së sapoemëruar në Qeverinë e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar menjëherë pas takimit Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë.
“Ministrja Jevtiq duhet të tërhiqet. Porosia është e qartë, kush do të punojë për popullin, si pjesë e Listës Serbe, si pjesë e ekipit unik, atëherë duhet që për vendimet të ketë marrëveshje dhe ato të sillen me konsensus dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e vet legjitim, si dhe me qeverinë e vet. Kush dëshiron të veprojë i pavarur, ju faleminderit dhe rrugë e mbarë”, ka thënë Gjuriq.
Në bisedimet me qeverinë në Beograd ka qenë e pranishme ministrja e sapozgjedhur qeverisë së Kosovës, Mirjana Jevtiq, e cila i takon radhëve të Lëvizjes Socialiste.
Në takimin e përfaqësuesve të Listës Serbe me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq, ky i fundit është përpjekur t’i vë kapak, siç është thënë, veprimeve të pakoordinuara brenda Listës Serbe, por edhe spekulimeve për një përplasje ndërmjet dy partive, që janë partnere në koalicionin qeverisës edhe në Serbi.
Ljubomir Mariq, i cili është shkarkuar nga posti i ministrit në Qeverinë e Kosovës, pas takimit me kryeministrin serb Vuçiq, ka theksuar se për serbët në Kosovë është i rëndësishme paraqitja unike.
“Uniteti nuk është humbur asnjëherë, por këtu kemi të bëjmë me individ. Ne që jemi me popullin dhe që konsultohemi me shtetin tonë, vetëm do t’i vështrojmë ata që punojnë diçka sipas mendjes së tyre”, tha Mariq.
Por, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nojkiq, shpreh mendimin se Beogradi zyrtarë, qëllimisht i ka lënë përfaqësuesit e Listës Serbe që të përplasen ndërmjet tyre dhe më pas të reagojë.
“Kjo do të thotë, ‘këta kanë hyrë në institucione dhe pajtohuni tash dhe hyni të gjithë’, sepse Partia Përparimtare Serbe në Kosovë ka dhënë komunikatë për këtë edhe janë deklaruar për këtë, ndërkohë që nuk kanë pasur ndonjë sinjal nga Beogradi. Kjo lehtësisht mund të jetë kështu ‘ pajtohuni tash, ishte çfarë ishte dhe hyni edhe ju në institucione’”, tha ai.
“Pastaj, të vazhdohet kështu dhe në fund të fundit, problemi i bllokadës të zgjidhet në këtë mënyrë, sepse ju e dini se çfarë kanë pështyrë dhe çfarë kanë thënë deri tash ata. Tash u duhet ta lëpijnë krejt këtë për tu kthyer. Në këtë mënyrë, për ta, duket se është më elegante”, tha Nojkiq.
Deputetët e Listës Serbe, por edhe përfaqësuesit e kësaj liste në Qeverinë e Kosovës, patën “ngrirë” pjesëmarrjen e tyre në institucionet qendrore, në shenjë kundërshtimi ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës, në tetor të këtij viti./rel/