Lajmet e rrejshme janë kthyer në problemin më të madh anekënd botës.
Sonte, në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun, është diskutuar problematika e lajmeve të rrejshme, mungesa e kulturës së leximit dhe mungesa e profesionalizmit ndër gazetarë, me çka po rrezikohet edhe demokracia globale.
Kryeredaktori i Telegrafi.com, Agron Shala, ka thënë se sot ka humbur vlera e fjalës dhe lajmit. Sipas tij, Facebook-u është njëri nga problemet kryesore se pse sot kemi një gjendje të tillë.
“Sondazhet tregojnë se shumica nuk e dinë prej nga vjen lajmi, pasi shumica e informatave plasohet përmes Facebook-ut”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, lajmet e rrejshme kanë përcjell tërë historinë njerëzore. Madje, shton se e sotmja është produkt i gënjeshtrave të së djeshmes, porse si tash kurrë nuk ka humbur besueshmëria te lajmi.
Në anën tjetër, Imer Mushkolaj – kryetar i bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë – ka deklaruar se lajmet e rrejshme janë trend global të cilit as Kosova nuk ka mundur sesi t’i shmanget.
“Ne çdo ditë shohim lajme të rrejshme. Këto të pavërteta më shumë i godasin njerëzit e rëndomtë, që janë shumica e lexuesve të prirë për të besuar gjithçka”, ka thënë Mushkolaj. /Telegrafi/