Telegrafi

Përballje kampionësh në Drenas, Feronikeli dhe 89-shi duan fitore

Java e gjashtë në elitën e futbollit kosovar do të filloj me një ndeshje tejet interesante e cila do të zhvillohet në Drenas.

Kampionët e fundit të Kosovës, Feronikeli dhe Trepça ‘89 do të përballen me njëra tjetrën në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’.

Sulmuesi i vendasve, Kreshnik Lushtaku ka thënë për kanalin zyrtar të klubit se është një ndeshje e rëndësishme për ta por edhe shumë e vështirë.

“Ka me qenë ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme për ne .Kemi pasur shumë lojë të mirë dhe jemi ende pa humbje”.

Sipas anësorit këmbëshpejtë ka ardhur koha për fitore te ‘Nikli’.

“Shpresoj dhe them se ka ardhur rendi për fitore. Ndeshjet e fundit na ka munguar goli, shpresoj që në këtë ndeshje t’i kthemi golave”.

“Shpresoj që unë të shënoj në këtë ndeshje”, ka thënë Lushtaku.

Kreshnik Lushtaku kërkon fitore ndaj ish-skuadrës së tij Trepçës ’89

Ndërkohë Telegrafi ka kontaktuar me mbrojtësin e mysafirëve, Përparim Islami.

Anësori fantastik i kampionit në fuqi, Përparim Islami ka thënë për Telegrafin se i pret një ndeshje e vështirë dhe janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë.

“Kemi një ndeshje tejet të vështirë dhe jemi përgatitur maksimalisht për Feronikelin gjatë gjithë javës”.

“Besoj shumë në ekipin dhe shokët e skuadrës dhe ne udhëtojmë për në Drenas që të marrim një rezultat pozitiv”.

“Së shpejti do t’i rikthehemi fitoreve”, u shpreh Islami. /Telegrafi/

Mbrojtësi i Trepçës ’89, Përparim Islami thotë se ‘Minatorët’ do t’i kthehen rezultateve pozitive