Shpeshtimi i vërshimeve dhe përmbytjeve në rajonin më të gjerë të Tetovë dhe jo vetëm, ka bërë që në këtë drejtim të punohet më shumë që ë parandalohen së paku mos ketë pasoja në njerëz. Nga komuna e Tetovës thonë se për parandalimin e vërshimeve në të ardhmen në territorin e komunës së Tetovës, janë ndërmarr disa masa konkrete dhe aktivitete për mbrojtje. “Pastrimi dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve ku përfshihen kryerja e pastrimit të rregullt dhe në kohë të shtretërve të lumenjve për të reduktuar rrezikun e vërshimit të tyre.
Ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse në shtretërit e lumenjve si ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse në shtretërit e lumenjve, veçanërisht në zonat ku janë regjistruar derdhje të shpeshta të ujit. Rregullimi i rrjedhave ujore ku përfshihet rregullimi i rrjedhave ujore për të parandaluar tejmbushjen e rrugëve dhe derdhjen e ujërave të zeza atmosferike në të gjithë qytetin. Mirëmbajtja e kanaleve atmosferike në qytet për të lehtësuar fluksin e ujit”, thonë zyra për informim në komunën e Tetovës.
Më tej shtojnë se pjesë e masave është edhe mirëmbajtja dhe riparimi i pjesëve të dëmtuara të objekteve për mbrojtjen e ujit, monitorimi i gjendjes së rrjedhave ujore dhe digave të larta si dhe shënjimi i lartësive të valës së përmbytjes, njoftimi dhe evakuimi i menjëhershëm i popullatës nga zona e kërcënuar.
“Në këtë drejtim përfshihet edhe njoftimi dhe evakuimi i menjëhershëm i popullatës nga zona e kërcënuar në rast të vërshimeve. Shpëtimi i personave të rrezikuar. Kontrolli i sistemit të furnizimit me ujë kundër ndotjes. Kontrolli i sistemit të furnizimit me ujë për të parandaluar ndotjen nga uji i lumenjve të papastër. Nxjerrja dhe heqja e pasojave të shkaktuara nga përmbytja”, njoftuan nga zyra për informim në komunën e Tetovës.
Përveç këtyre masave, për të trajtuar pasojat, janë përcaktuar masat e nevojshme për rehabilitimin e zonës dhe ofrimin e ndihmës për popullatën e prekur, kurse organet kompetente do të formojnë një Komision për vlerësimin e dëmeve dhe pasojave për të koordinuar veprimet e nevojshme, njoftuan nga komuna e Tetovës. Së fundmi nëpër disa komuna rurale janë duke u pastruar shtretërit e lumenjve bashkërisht me UNDP-në, për të parandaluar vërshime në të ardhmen.
Ndërkohë, me shpalljen e një pjese të Malit Sharr për zonë të mbrojtur u vendos një kornizë institucionale për mbrojtjen dhe restaurimin e kësaj zone që mos të jetë burim për vërshime në të ardhmen./Koha.mk/