Itali do të sfidojë Shqipërinë më 24 Mars në qytetin sicilian të Palermos.
Kjo do të jetë sfida e parë zyrtare në historinë e dy vendeve. Trajneri i të kaltërve Giampiero Ventura theksoi se është një takim mjaft delikat, kjo pasi rezultati përfundimtar mund të hapë skenarë të rinj, në aspektin pozitiv apo negativ.
Në lidhje me zgjedhjen e federatës për ta luajtur këtë duel në jug të gadishullit apenin, pra në Palermo tekniku i kombëtares italiane deklaroi se nuk është një zgjedhje për tu larguar nga shqiptarët, por sepse qytetarët e Palermos kanë qenë gjithnjë të afërt me përfaqësuesen.
“Nuk është vetëm një ndeshje historike për Shqipërinë, por edhe për Italinë pasi është hera e parë që përballemi në një takim zyrtar. Është një ndeshje mjaft delikate, dhe rezultati përfundimtar mund të hapë skenarë të rinj në këto kualifikuese, pozitivë ose negativë. Qyteti i Palermos u zgjodh pasi në këtë qytet kombëtarja jonë ka gëzuar gjithnjë mbështetjen maksimale të publikut. Ne e kemi detyrim ti bëjmë krenar të gjithë italianët”, tha Ventura.
Ventura gjithashtu kërkoi të evidentonte talentet e shumtë që Italia ka në dispozicion duke shtuar se nëse “azzurrët” kualifikohen për në botërorin e Rusisë, atëherë është e sigurt që do të jenë surpriza më e bukur e turneut, kjo pasi trajneri sheh dëshirën e madhe që lojtarët e rinj kanë për të përfaqësuar kombëtaren e tyre në nivele të larta.