Site icon Telegrafi

Për zgjedhjen e presidentit, të dielën duhet të votojnë së paku 723.253 qytetarë

Të dielën më 5 maj do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.808.131 votues, të cilët mund të zgjedhin midis dy kandidatëve Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski, të cilët në raundin e parë e fituan numrin më të madh të votave por jo edhe shumicën e nevojshme prej 904.066 vota që të zgjidhet presidenti i Republikës.

Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditësh prej përfundimit të raundit të parë të votimit, në këtë rast më 5 maj. President zgjidhet kandidati i cili ka marrë shumicë votash, nëse në vendvotime kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të zgjedhur, gjegjësisht 723.253 votues, që është paraparë me nenin 121, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor.

Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk e merr numrin e nevojshëm të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore. Dalja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale prej rreth 42 për qind, vetëm i përforcoi akoma më shumë druajtjet se në raundin e dytë mund të mos arrihet censusi ose dalje e qytetarëve prej 40 për qind.

Në opinion flitet se nëse ndodh kjo është e mundur të shpallen zgjedhje të reja, të ndryshojë Kushtetuta për zgjedhjen e censusit, ose për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, funksionin do ta kryejë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Sipas ekspertëve kushtetues, në rast të mospasjes së censusit do të duhet të shpallen zgjedhje të reja edhe atë në afat prej 40 ditëve. Ata vlerësojnë se pas përfundimit të mandatit presidencial Gjorge Ivanov në asnjë mënyrë nuk mund ta vazhdojë funksionin.

Për dalje masive bëri thirrje edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai shtoi se nëse nuk arrihet censusi prej 40 për qind më 12 maj ai do të duhet ta ndërmarrë funksionin president i Republikës.

Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për mandat pesëvjeçar. President i Republikës i njëjti person mund të zgjidhet më së shumti dy herë. Presidenti duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë./Telegrafi/

Exit mobile version