Site icon Telegrafi

Për tre të dyshuar në vrasjen e Ivanoviqit, masa e paraqitjes në polici

Seanca gjyqësore e paraparë për sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është shtyrë për shkak të pandemisë Covid 19.

Avokati Tomë Gashi, i cili mbron njërin prej hetuesve të Policisë së Kosovës në këtë raste, tha se në momentin e fundit janë njoftuar se seanca nuk mbahet.

Gashi theksoi se, nuk është korrekte që nuk janë njoftuar më herët për shtyrje të seancës.

Ai tha se minimumi i anulimit të këtyre seancave do të jetë deri më 27 mars.

“Ne faktikisht sot kemi ardhur, unë kam ardhur për klientin tim, por besoj edhe një pjesë e avokatëve, të gjithë avokatët nuk kanë ardh, ne nuk e dimë arsyen, por nuk ka pasur njoftim zyrtarë se çka do të bëhet me çështjet ku paraburgimi është caktuar para një periudhe të gjatë kohore. Sot ka qenë rasti i quajtur në rastin e zotit Oliver Ivanoviq dhe unë në këtë rast mbroj njërin prej hetuesve të Policisë së Kosovës, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit para disa muajve dhe kjo ka qenë seanca e caktuar më herët për kundërshtimin e provave dhe kërkesa për hedhjen e aktakuzës. Mendoj që nuk ka qenë shumë korrekte që nuk kemi pas njoftim të mëhershëm sepse po ta kishim nuk do të ishim këtu… Fiks në ora 10:00 jemi njoftuar nga zyrtar të Gjykatës se edhe seancat në të cilat janë të ashtuquajtura me paraburgim janë anuluar në kohë të pacaktuar, por minimumi i anulimit të këtyre seancave do të jetë deri më datën 27 mars sipas zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi.

Megjithatë, Gjykata ka vendosur për caktimin e masës së paraqitjes në polici për tre të akuzuarit në këtë rast, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Mar koviq, ndërsa të tjerëve u është vazhduar paraburgimi.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress avokati i Silvana Arsoviq, Musa Damati.

“Sot kam pranuar zyrtarisht aktvendimin në bazë të të cilit është refuzuar kërkesa e Prokurorisë speciale për arrest shtëpiak dhe në raport me klienten time është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policorë”, ka thënë Damati.

Sipas tij, edhe për dy të akuzuarit tjerë, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq është caktuar masa e njëjtë, ndërsa për të gjithë të tjerët të akuzuar në këtë rast, është vazhduar paraburgimi.

Exit mobile version