281 raste të dhunës në familje janë shënuar në tremujorin e parë të këtij viti, prej tyre 27 raste dhune janë ndaj fëmijëve.
Statistikat e dhunës në familje janë shqetësuese. Sociologët dhe psikologët ngrenë alarmin për situatën e krijuar dhe rritjen e numrit të këtyre rasteve. Një person u arrestua të dielën në Prishtinë, meqë sulmoi fizikisht të bijën e tij, e cila më pas kërkoi ndihmë mjekësore. Sulmuesi, babai i saj, u lirua menjëherë në procedurë të rregullt.
Ky është rasti më i freskët i raportuar nga policia për dhunën në familje. E raste të tilla po shtohen çdo ditë, aq sa kanë filluar të përfundojnë me vrasje, sikurse rasti i 14 vjeçarit Luan Bernjashi nga Karaçeva e Kamenicës.
Atë dyshohet se e mbyti babai i tij me shkop druri sepse shpenzoi 1 mijë euro.
10 raste të vdekjeve janë shënuar në Kosovë si pasojë e dhunës në familje, 5 të vrasjes së rëndë në familje janë shënuar më 2016, 4 në vitin 2017, dhe një brenda 5 muajve të parë të këtij viti.
Policia është e shqetësuar për këto shifra. Hezitimi i raportimit të dhunës në familje mbetet shqetësues për policinë.
Krimi makabër që kreu babai kundër të birit në Kamenicë, shihet me shqetësim edhe në aspektin sociologjik dhe psikologjik.
Rastet e dhunës në familje fatkeqësisht nuk kanë shënuar rënie, dhe nga viti 2015 janë raportuar 3 mijë e 534 raste, prej tyre 172 raste dhunë kundër fëmijëve që u ushtruan nga prindërit e tyre.
Në vitin 2015 janë raportuar gjithsej 1038 raste, 51 fëmijë, 859 gra dhe 118 burra, më 2016 u shënuan gjithsej 1227 raste, nga të cilat 60 ishin fëmijë, 988 gra dhe 179 burra, në 2017 u raportuan 1269 raste të dhunës në familje, në mesin e tyre ishin 61 fëmijë, 962 gra dhe 246 burra, kurse gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, sipas policisë së Kosovës janë shënuar 281 raste të dhunës në familje nga të cilët 27 ishin fëmijë.
Vendi ynë ende nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijës derisa në mars të këtij viti Kuvendi i Kosovës, në mungesë kuorumi, dështoi të miratojë rekomandimet e harmonizuara nga Grupet Parlamentare për dhunën në familje./rtk/