“Ukraina është ende në një rrugë të pakthyeshme për t’u bashkuar me NATO-n”, i tha kryeministri britanik, Keir Starmer, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kjo pasi udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës folën në telefon për herë të parë sot.
Biseda vjen më pak se 24 orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk shihte asnjë mënyrë “që një vend në pozicionin e Rusisë” mund të lejonte Ukrainën të anëtarësohej në NATO.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan kishte thënë se anëtarësimi në NATO për Ukrainën nuk ishte jashtë planit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Trump ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe ka thënë se dëshiron të fillojë negociatat.
Ai po kërkon gjithashtu që Evropa të ofrojë më shumë mbështetje për Kievin dhe SHBA të shpenzojë më pak.
Raportohet se Keir ka përsëritur mbështetjen konkrete të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, për aq kohë sa është e nevojshme.
Gjithashtu, liderët ranë dakord se tani është një moment i rëndësishëm për të demonstruar unitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen për Ukrainën.
Ndër tjera, dy udhëheqësit premtuan të qëndronin në kontakt.
Një deklaratë në rrjete sociale të Zelenskyt tha: “E informova kryeministrin Starmer për diskutimin tim me presidentin Trump dhe kontaktet me palën amerikane. Ekipet ukrainase dhe amerikane duhet të punojnë së bashku me evropianët dhe të gjithë partnerët tanë globalë për të arritur rezultate konkrete”.
“Siguria e çdo kombi varet nga forcimi i sigurisë sonë kolektive. Është thelbësore që çdo javë e re të sjellë rezultate të prekshme që do të sigurojnë një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme”, shtoi Zelensky. /Telegrafi/