Telegrafi

Ministria e Arsimit do të ndajë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet “Gjuhë shqipe” dhe “Letërsi shqipe”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të ndajnë burse në vlerë të 1 mijë eurove për studentët në programin Letërsi shqipe të Fakultetit të Filologjisë.

Kjo u bë e ditur nga ministrja Arbërie Nagavci.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se kjo është bërë me qëllim promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shkencave të albanistikës, me vëmendje të veçantë programet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë.

“Muaj më parë kemi nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në kuadër të kësaj Marrëveshje, MAShTI për herë të parë do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet Bachelor dhe Master në degët Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student”.

“UP tashmë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve. Ju ftoj që të aplikoni në këto programe dhe të përfitoni bursën studentore”, ka shkruar Nagavci.