Telegrafi

Për të akuzuarit në Hagë u shpenzuan 13 milionë euro – listës i prin Jakup Krasniqi

Nga buxheti i Republikës së Kosovës, në dy vjetët e fundit, janë ndarë mbi 13 milionë euro për qytetarët e akuzuar të Kosovës nga Gjykata Speciale për krime lufte, me seli në Hagë.  Shuma më e madhe e parave është shpenzuar për avokatët e tetë të akuzuarve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Drejtësisë dërguar REL-it, listës me numrin më të lartë të shpenzimeve i prin ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Për të shteti ka shpenzuar hiç më pak se 2 milionë e 6 mijë e 769 euro. Prej kësaj shume, 1 milion e 975 mijë e 250 euro janë shpenzuar për t’i paguar avokatët, 17 mijë e 801 për bileta udhëtimi për familjarë dhe 13 mijë e 718 euro për shpenzime për vizita të familjarëve.

Për ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin, janë shpenzuar 1 milion e 982 mijë e 527 euro nga arka e shtetit. Prej tyre, 1 milion e 954 mijë e 250 euro janë shpenzuar për avokatë, 16 mijë e 355 euro për bileta të udhëtimit për familjarë si dhe 11 mijë e 922 euro të tjera për shpenzime për vizita të familjarëve, transmeton Telegrafi.

I treti në listë është ish-Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për të cilin janë shpenzuar 1 milion e 939 mijë e 222. Për t’i paguar avokatët e Selimit shteti ka harxhuar 1 milion e 907 mijë e 700 euro, 17mijë e 244 euro për bileta të udhëtimit për familjarë si dhe 4 mijë e 277 euro për shpenzime për vizita të familjarëve.

Më pak se për këta të tre janë shpenzuar për ish-presidentin Hashim Thaçi – gjithsej 1 milionë e 749 mijë e 101 euro. Të gjitha për t’i paguar avokatët, ndërsa për bileta udhëtimi për familjarë dhe shpenzime tjera për vizita të familjarëve duket se nga buxheti i shtetit nuk është marrë as edhe një cent.

Po thuajse aq mjete sa për ish-presidentin Thaçi janë shpenzuar edhe për nënkryatrin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, apo gjithsej 1 milion e 730 mijë e 426 euro. Prej tyre, 1 milion e 715 mijë e 963 euro kanë shkuar në xhepat e avokatëve të tij, 7 mijë e 7 euro për bileta të udhëtimit për familjarë, ndërsa 7 mijë e 455 të tjera për shpenzime për vizita të familjarëve.

Më pak se për ish-luftëtarët e sipërpërmendur shteti ka shpenzuar për ish-kryeparlamentarin dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjithsej 1 milion e 627 mijë e 279 euro. Për pagesat e avokatëve janë shpenzuar 1 milion e 614 mijë e 724 euro, për bileta të udhëtimit për familjarë 6 mijë e 354 euro, ndërsa shpenzime për vizita të familjarëve 6 mijë e 200 euro.

Për ish-komandantin Salih Mustafa shteti për dy vjet ka shpenzuar 1 milion e 381 mijë e 788 euro, 1 milion e 371 mijë e 172 prej tyre për pagesa të avokatëve, 5 mijë e 895 për bileta të udhëtimit për familjarë si dhe 4 mijë e 720 për shpenzime për vizita të familjarëve.

Ndërsa, për ish-pjesëtarin tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala, janë shpenzuar vetëm 725 mijë e 110 euro. Prej kësaj shume, 715 mijë euro janë shpenzuar për pagesa të avokatëve dhe të tjerat për shpenzime për vizita të familjarëve.