Emisari special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar detaje nga takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten në Beograd.
Lajçak, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se në takim me Vuçiqin kanë biseduar për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel.
“Pas Prishtinës javën e kaluar, vizitova Beogradin për t’u takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe me Petar Petkoviq”.
“Folëm për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve, çështjet aktuale, të cilat duhet të adresohen urgjentisht dhe zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
After Pristina last week, I visited Belgrade to meet with @predsednikrs @avucic and @PetkovicPetar. We spoke about the upcoming Chief negotiators’ meeting, current issues, which need to be urgently addressed and the implementation of the Agreement on the Path to Normalisation. pic.twitter.com/EogQjHSSzv
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 15, 2024
Për takimin e sotëm ka njoftuar edhe Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram.
“Ne shqyrtuam të gjitha mundësitë dhe temat për vazhdimin e bisedimeve konstruktive në Bruksel, si dhe biseduam për hapat e nevojshëm për përparim drejt normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinë. Sërish i bëra thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet konkretisht dhe në mënyrë të vendosur në çështjet me rëndësi themelore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, tha Vuçiq.
BE-ja ka njoftuar se më 19 mars në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia do të diskutojnë për çështjen e dinarit.
Blloku evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar vendimin për dinarin, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që ka te komuniteti serb. Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë pezullojë vendimin, por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka shfaqur sinjale se do të tërhiqet nga kjo rregullore. /Telegrafi/