125 persona janë raportuar si të zhdukur që nga fillimi i vitit. Familjarët dhe të afërmit e tyre kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, që të gjejnë këta persona për të cilët nuk është ditur se ku ndodhen.
Shumica e tyre janë raportuar se janë të mitur dhe largohen nga shtëpia pa pëlqimin e prindërve.
Ekspertë të sigurisë thonë për KosovaPress, se institucionet duhet të ndërmarrin masa për parandalimin e këtyre rasteve. Ndërkaq, kryetari i KMDLNj-së thekson se duhet të ketë sensibilizim të opinionit.
Pothuajse çdo ditë në raportin e Policisë së Kosovës, raportohet për zhdukje të personave. Edhe këtë vit, kanë qenë mbi 100 raste të tilla, për çka Policia e Kosovës nuk specifikon moshën e as gjininë.
“Për periudhën 1 janar-31 korrik 2022, në polici janë evidentuar 125 raste të zhdukjeve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.
KosovaPress mëson se shumica e këtyre rasteve kanë qenë të mitur dhe se i takojnë komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjipitianë.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala thotë se këto raste janë vështirë të parandalohen, meqë të miturit largohen nga shtëpia pa pëlqimin e prindërve.
“Femrat e mitura kryesisht largohen, shkojnë krijojnë një lidhje martesore apo bashkëjetojnë me partnerët e tyre, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e prindërve. Kryesisht këta janë pjesëtarë të një komuniteti dhe në shumicën e rasteve janë të mitur.
Ata e dinë shumë mirë që është e kundërligjshme dhe largohen vet edhe zakonisht shkon një javë derisa të merret vesh se ku janë. Policia ndërmerr masat në përputhje me ligjin, në qoftë se është ajo bashkëjetesë apo jetesë në kundërshtim me ligjet, atëherë fillon procedurën”, thekson Shala.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë Avni Islami kërkon nga institucionet që të ndërmerren masa dhe të parandalohen rastet kur prindërit nuk dinë se ku i kanë fëmijët.
“Secili individ që nuk është në mesin e familjarëve të tyre është brengosëse për familjen, shoqërinë dhe për shtetin. Pra, në këtë drejtim duhet të punojnë më shumë institucionet e sigurisë të Kosovës, ata që merren me këto raste. Dhe të bëhet identifikimi sa më parë, vendndodhja e tyre dhe në këtë mënyrë që të gjendet sa më parë ata persona që janë zhdukur ose nuk janë lajmëruar që sa kohë në familjet e tyre”, deklaron ai.
Më tej, kryetari i KMDLNj-së, Behgjet Shala flet edhe për shfrytëzimin e këtyre të miturve nga persona të cilët janë të përfshirë në pedofili. Por, ai në këtë raste kërkon sensibilizim të familjeve në Kosovë.
“Këtu duhet të punohet më shumë në sensibilizimin e opinionit. Duke filluar nga familja, familja duhet të ketë përgjegjësi më të madhe për fëmijët e tyre të mitur, se ku shkojnë, ku punojnë dhe me çfarë rrethin sillen, sepse familja ka përgjegjësinë, e policia e gjykata nuk merren me parandalim, nuk merren me parandalim por me pasojat”, vijon Shala.
Kujtojmë që vjetëve të fundit Kosova është përballur me dhjetëra raste edhe të dhunimeve të personave të mitur, detyrimin për prostitucion, e sulmeve seksuale.