Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, e cila është edhe gruaja e ish-deputetit Rexhep Selimi, i cili po gjykohet nga Specialja në Hagë, ka reaguar ndaj disa shkrimeve për bashkëshortin e saj. Ajo ka thënë se “Rexha do të kthehet dhe do të flas vetë, e atëherë shumë pikëpyetjeve do t’ju vihet pika”.
Deputetja Mehmeti – Selimi, përmes një postimi në Facebook, thotë se ka thirrje në adresën e saj kinse duhet të reagojë në rastet kur përmendet emri i Rexhep Selimit.
“Ato shkrime e postime të vjetra, që së fundi u bën aktuale, i ka parë edhe vet Rexha sa ishte në Kosovë, por nuk i ka vlerësuar aq me vlerë e as aq të rëndësishme sa t’i replikonte e t’i komentonte”, ka shkruare aj, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i deputetes Mehmeti-Selimi:
“Po i lexoj e po i dëgjoj aty-këtu disa thirrje në adresën time se po u dashka të reagoj sa herë përmendet emri i Rexhep Selimit në opinion.
Për më tepër po kërkohet nga unë t’i komentoj edhe disa postime të viteve të kaluara!
Ato shkrime e postime të vjetra, që së fundi u bën aktuale, i ka parë edhe vet Rexha sa ishte në Kosovë, por nuk i ka vlerësuar aq me vlerë e as aq të rëndësishme sa t’i replikonte e t’i komentonte.
Prandaj unë sot nuk kam nevojë t’ua rris vlerën atyre postimeve.
Rexhep Selimi nuk është në atë gjendje sa te ketë nevojë ta mbrojë bashkëshortja e tij. Atë e mbron e drejta, emri dhe vepra e tij. Ai nuk ka nevojë ta mbroj unë e as të flas në emër të tij.
Nëse ka nevojë, unë do ta bëj me shumë vullnet dhe me krenari. Por, Rexha do të kthehet dhe do të flas vetë, e atëherë shumë pikëpyetjeve do t’ju vihet pika.
Në ndërkohë unë do të vazhdoj të kryej me nder dhe krenari detyrën dhe mandatin që ma kanë dhënë votuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka shkruar ajo.
Para pak ditëve, u raportua për disa shkrime të ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ku ajo kishte thënë për Rexhep Selimin se ky i fundit është figurë e botës së krimit. /Telegrafi/