Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burgim, për një periudhe gjashtë mujore për Sabit Gecin, i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar vetë kryetari i Apelit, Hasan Shala.
“Po i është pezulluar vendimi për ekzekutimin e dënimit me burg pasi gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë. Ai është duke u trajtuar në Stamboll dhe gjendjen e tij është duke e përcjellur Ministria e Drejtësisë”, ka thënë Shala.
Edhe avokati i Sabit Gecit, Haxhi Millaku ka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se klientit të tij i është pezulluar vendimi për ekzekutim e dënimit me burgim.
“Për shkaqe shëndetësore është pezulluar vendimi për 6 muaj ndaj tij. Ai është duke u trajtuar në Stamboll”, ka thënë Millaku.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ndaj Gecit pezullohet ekzekutimi i dënimit. /Telegrafi/