Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, duke komentuar arrestimin e sotëm në veri të Mitrovicës të serbit Milun Milenkoviq – “Lune”, ka thënë se ka qenë njeriu kryesor i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, grup kriminal ilegal, i cili ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit.
Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Nuk ka mundësi që bandat e krimit serb në veri të mos jenë proruse, siç është edhe vet rasti i sotëm i kriminelit të arrestuar Milun Milenkovic – ‘Lune’”.
Duke komentuar një foto të Milenkoviqit të bërë në ambientet e klubit të kik-boxit, eksperti i sigurisë, Musliu thotë “Shikojeni që në njërën anë e ka edhe flamurit e shtetit të Putini-t”, transmeton Telegrafi.
“Flamuri rus gjendet përkrah atij serb në klubin e kik-boksit, në veri të Mitrovicës, të cilin e udhëheq ‘Lune’”, shkruan ai.
Më tej Musliu thotë se “sipas të dhënave që ka siguruar gjatë ditës, Instituti OCTOPUS, ky farë ‘Lune’ ka qenë njeriu kryesor i të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, grup kriminal ilegal, i cili ka keqtrajtuar dhunshëm të gjithë qytetarët në veri të vendit, e të cilët nuk i janë bindur urdhrave të Serbisë, të porositura nga Vuçiq e Radojçiq”.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkoviq- Lune, të clin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.
Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.
Pas këtij aksioni policor në veri të Kosovës më 13 qershor, ku janë lënduar tre zyrtarë policorë, serbët lokalë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve. Atje, përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it. /Telegrafi/