Radio Televizioni i Serbisë (RTS) njoftoi sot se para fillimit të debatit në komisionin kushtetues në Kuvendin e Maqedonisë, 11 deputetë nga OBRM-PDUKM kanë rënë dakord që të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe kështu të sigurojnë një shumicë prej dy të tretash, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo u tha në botimin e RTS-së me titullin “Maqedonia, deputetët e OBRM-PDUKM-së nën presion”.
Duke iu referuar informacionit të televizionin “Alsat-M”, RTS thekson se qeveria e Zoran Zaevit arriti të sigurojë mbështetjen e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese dhe për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Megjithatë, shërbimi i servisit publik të Serbisë ka transmetuar gjithashtu akuzat e zyrtarëve të rangut të lartë të OBRM-PDUKM-së se këto spekulime janë të pasakta dhe se “nuk ka gjasa që ndonjë nga deputetët të votojë kundër vullnetit të qytetarëve të Maqedonisë të shprehur në referendum”.
Në Komision deputetët sot kishin mendime të ndryshme. Për dikë identiteti është i mbrojtur, ndërsa për të tjerët marrëveshja e Prespës është dëmtuese./Telegrafi/