Policia ka bërë të ditur se 42 persona kanë vdekur në aksidente trafiku brenda pesë muajve të këtij viti (janar-maj).
Ndërsa gjatë kësaj periudhe raportohet të kenë ndodhur 2 mijë e 753 aksidente me lëndime, duke shkaktuar kështu edhe lëndimin e 5 mijë e 419 qytetarëve.
“Për periudhën kohore janar-maj 2021, kanë ndodhur 37 aksidente fatale dhe kanë humbur jetën 42 persona, andaj Policia e Kosovës do të vazhdoj të rris prezencës policore në trafik si dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë kundërvajtësve, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit të së dielës, janë shqiptuar 1.184 gjoba, përderisa për periudhën pesë mujore ka shqiptuar 167.304 gjoba”, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.
Nga policia kanë bërë thirrje që të bëhet kujdes gjatë pjesëmarrjes në trafik, duke theksuar edhe që të respektohen rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor.
“Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës në vazhdimësi APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike”, thuhet më tej në komunikatën për media nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, nuk do të bëjë asnjë tolerim, do të ndërmerr masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi./Telegrafi/