Site icon Telegrafi

BE për përjashtimin e Kosovës nga ENQA: Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se shpreh keqardhje për përjashtimin e Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Përmes një njoftimi për media, zyra e BE-së ka thënë se përjashtimi është një pengesë e madhe dhe një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të pabaza të së kaluarës, siç është vendimi i qeverisë së shtatorit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e nevojshëm.

Lexo po ashtu Rexhaj tregon pasojat pas përjashtimit nga ENQA, thotë se LDK do ta kthejë AKA-n në “vendin e nderit”

Njoftimi i plotë:

“Me keqardhje kemi kuptuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka dështuar në përpjekjet për të rinperterire anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur.

ENQA ka renditur faktorët që çuan në vendimin e tyre. Është dëshpëruese të shohësh që shumica e tyre mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’i siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme.

Qeveria e ardhshme duhet të adresojë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me AKA-në dhe të sigurojë që pas dy vjetësh, kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë. Më e rëndësishmja, Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës.

Ne inkurajojmë Bordin e AKA-së që të adresojë rekomandimet e ENQA-së dhe të vazhdojë përpjekjet për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë. Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm të ndihmojë këtë proces”.

Exit mobile version