Javën e ardhshme përfundon koha e paraparë me ligj për përzgjedhjen e shefit të ri të AKI-së. Nga zyra e kryeministrit u bë e ditur se akoma nuk kanë dërguar ndonjë propozim për këtë pozitë. Ndërkaq u rekomandua që shefi i ri i AKI-së të zgjidhet nga qeveria e re.
Bazuar në afatin e paraparë në Ligjin për AKI-në, java e ardhshme duhet ta gjejë Kosovën me shefin e ri të Inteligjencës.
Mirëpo Zyra e Kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, kanë konfirmuar për RTV Dukagjinin se nuk kanë dërguar asnjë propozim tek presidenti i vendit. Madje Kryeministria, ka shtuar se nuk e dinë nëse do të marrin një hap të tillë.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se duhet të respektohet ky afat ligjor për arsye se nuk është e sigurt se kur mund të formohet qeveria e re. Sipas tij, ky institucion nuk duhet të mbetet pa pozitën më të rëndësishme.
“Mandatet e institucioneve të sektorit të sigurisë duhet të respektojnë datat ligjore e nuk duhet të lidhen me datat politike. Nuk guxojmë të lëmë boshllëqe. Është një afat i shkurtë dhe tash në pyetje janë autoritetet nëse dëshirojnë të zbatojnë afatet ligjore apo do të presin formimin e qeverisë së re”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Nuredin Ibishi.
Mirëpo sipas Ehat Miftaraj nga Institucioni i Kosovës për Drejtësi, më e rrugës do të ishte që shefin e AKI-së ta emëronte Qeveria e Re, pasi kompetencat e tij gjatë kësaj periudhe i barten zëvendësit të kësaj pozite. Sipas tij, është e rëndësishme që shefi i AKI-së të jetë në koordinim me kryeministrin përzgjedhës.
“Në rrethana kur kemi një qeveri në dorëheqje, s’ka legjitimitet që të emërohet shefi i ri i AKI-së, pasi që drejtori i AKI-së i raporton drejtpërdrejt kryeministrit të Kosovës. E ne tashmë jemi në fazën përfundimtare të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit”, deklaroi Ehat Miftaraj, përcjell Telegrafi.
Tashmë ish-shefi i AKI-së Shpend Maxhuni kishte dhënë dorëheqje më 6 nëntor, duke mos i bërë të ditura arsyet, mirëpo ishte kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj i cili tha se ky vendim erdhi për arsye shëndetësore.
Përndryshe, Ligji për AKI-në thotë se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”./RTV Dukagjini/Telegrafi/