Telegrafi

Për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit u organizua eventi “Ta kalojmë këtë sfidë edhe përmes librave”

Mbrëmë, për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancer të Gjirit, në ambientet e librarisë “Dukagjini”, shtëpia botuese dhe libraria “Dukagjini” organizuan eventin “Ta kalojmë këtë sfidë edhe përmes librave”.

Eventi nisi me fjalët rrëqethëse të dekanes së Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila, në pamundësi pjesëmarrjeje, kishte dërguar këtë mesazh: “Unë pranova të vij në këtë ngjarje kulturore me shumë kënaqësi, meqë lidhej me punën time, por edhe me gjendjen time aktuale. Pas 10 vjetësh, kanceri është kthyer përsëri…”

Fjalët e saj morën shumë duartrokitje dhe emocionuan gjithë publikun. Në këtë mesazh, ajo shtoi se donte të fliste për rëndësinë e ikjes në botën e Murakamit dhe të Pamukut për t’u larguar sadopak, aq sa munden, nga realiteti që i rrethon pacientet, duke përfshirë edhe veten.

Pastaj, fjalën e mori Presidentja e parë e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte zgjedhur dy libra: “Alkimisti” nga Paolo Coelho dhe “Educated” nga Tara Westover. Ajo theksoi se thesari i lumturisë është në gjërat e vogla, që i kemi pranë në përditshmërinë tonë.

Nafije Latifi, themeluese dhe drejtore ekzekutive e organizatës “Jeta Vita”, përmendi librat e Cvajgut, që i kanë ndihmuar shumë për kalimin e kësaj sfide në gjendjen emocionale, pasi këta libra janë kryesisht me funde të lumtura, siç theksoi ajo, që një paciente ka shumë nevojë.

Profesorja universitare e Arteve Dramatike, Arbnesha Grabovci-Nixha, solli për audiencën rrëfime të grave të prekura, të mbledhura nga libra dhe revista të ndryshme. Të pranishmit duartrokitën fuqishëm, e disa u emocionuan aq shumë, saqë u rrodhën edhe lot.

Në fund, disa gra ndanë rrëfimet e tyre, shumica pozitive, që kishin kaluar këtë sfidë dhe që librat kishin qenë terapia më e mirë.